Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 21 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit.
Përmes një shkrimi në Facebook, tha se jo rastësisht kjo figurë kombëtare e politike e Kosovës ndodhet në mesin e të pagjeturve, pasi pushtuesi serb e kishte për qëllim zhdukjen tij që luftonte për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
“Pushtuesi serb, ashtu siç deshi të zhdukte tërë qenien e shqiptarit, ashtu deshi të zhdukte edhe një nga zërat më të shquar për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.”, ka shkruar Hoxhaj.
Hoxhaj, tha se ishte profesor Ukshin Hoti, ai që ndër intelektualët e parë përkrahu protestat dhe kërkesat e studentëve të vitit 1981, për çka edhe vuajti në burgjet e atëhershme.
Deputeti i PDK-së, tha se në burgosjen e fundit të Hotit, pushteti serb u kujdes që të zhduk çdo gjurmë të tij, në mënyrë që të shuante një zë kredibil e të fuqishëm për çështjen shqiptare jo vetëm brenda, por edhe në arenën ndërkombëtare.
“Ukshin Hoti dhe mijëra të tjerë të pagjetur na thërrasin në ndërgjegjen tonë dhe pa zbardhjen e fatit të tyre nuk mund të flitet për paqe të qëndrueshme dhe pajtim midis Kosovës e Serbisë.”, ka përfunduar shkrimin Enver Hoxhaj.