Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka takuar sot strukturat e partisë në Klinë, Istog e Pejë.
Takimet me strukturat e partisë, Hoxhaj i ka bërë publike në rrjetin social Facebook, nga ku ka dhënë mesazhe për planet e tij si kryeministër i ardhshëm rreth zhvillimit ekonomik, përmbushjen e synimeve të Kosovës drejt integrimit në familjen evropiane si dhe për vazhdimin e shtetndërtimit.
Nga Peja, Hoxhaj ka thënë se PDK është e vetmja parti që zhvillimin ekonomik e sheh si themel të shtetit.
Ai tha se krijimi i stabilitetit ekonomik e politik është ajo për të cilën ai zotohet si kryeministër i ardhshëm.
“Pas Klinës e Istogut, takuam edhe strukturat e partisë në Pejë, që njihet si zemra e ndërmarrësisë në Kosovë. PDK është e vetmja parti që zhvillimin ekonomik e sheh si themel të shtetit. Qëllimi ynë është fuqizimi i biznesit vendor, i cili e bën Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj. Krijimi i stabilitetit ekonomik e politik është ajo për të cilën zotohem unë si kryeministër i ardhshëm!”, ka shkruar Hoxhaj,
Gjatë takimit në Istog, kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj tha se PDK do të ndjekë rrugën e përmbushjes së aspiratave dhe synimeve të shtetit.
Kurse, në Klinë, ku ishte i shoqëruar nga anëtarët e kryesisë së PDK-së, ai tha se panë entuziazmin e anëtarëve të degës, të cilët i bashkohen idesë së PDK-së për plane konkrete për të vazhduar shtetndërtimin e vendit, për të krijuar vende të reja të punës dhe për ta nxjerrë Kosovën nga izolimi.