Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së në një prononcim për media ka thënë se ende nuk i kanë të gjithë emrat e ministrave nga radhët e PDK-së.
Ai po ashtu tha se sot gjatë ditës kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, do të jap propozimet dhe pastaj do të vendosë Kryesia e PDK-së për emrat e ministrave.
“Është debatuar jo për emrat e ministrave, por për atë se çfarë duhet të bëj Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës. Diskutuam se si Qeveria të ketë një planprogram dhe disa qëllime strategjike pasi vendi është në një fazë kyçe të përmbylljes së shtet ndërtimit”, ka thënë ai.
Hoxhaj u shpreh se janë të interesuar të kenë një qeveri reformatore dhe korniza e saj do të jetë zbatimi i Programit kombëtar të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).
“Aty e keni një pako të gjerë të reformave të cilat do duhej t’i ndërmerr vendi. Haradinaj si mandatar do të na tregoj se cilat do të jenë prioritet e Qeverisë së Kosovës”, shtoi tutje ai.
Ndërsa, sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, Hoxhaj u shpreh se çdo qasje që do ta ketë Haradinaj do ta ketë përkrahjen e PDK-së.
“Kur situatat janë komplekse nuk është puna t’i kompleksojmë edhe më tutje por duhet gjetur zgjidhje. Nuk mund të ju them se cili do të jetë qasja e Qeverisë së ardhshme në shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mirëpo një gjë e di që kjo temë nuk është temë ndërshtetërore midis Kosovës dhe Malit të Zi, por ka qenë temë e politikës së brendshme dhe politika e brendshme dhe qeveria e re do duhej ta adresoj”, tha tutje Hoxhaj. /Telegrafi/