Telegrafi

Hoxhaj: PDK e kishte denoncuar këtë grup kriminal në vitin 2014

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj ka mbajtur sot konferencë për media në emër të PDK-së, në lidhje me rastin e video së disa personave.

Hoxhaj, theksoi se PDK-ja e kishte denoncuar këtë rast kriminal në vitin 2014, por hetimet nuk vazhduan deri në fund.

“Rrahim Hashimi, personi kyç në këtë grup kriminal është denoncuar në vitin 2014 nga nënkryetari i PDK-së dhe Kuvendit pasi që ia kishte përdorur emrin, njësoj siç tani ndodhi me KV. Tani pyetja është pse nuk u hetua ky rast deri në fund. Rasti për të cilin ka qenë subjekt kjo video është mbyllur pa përfunduar hetimet dhe pa u vënë para përgjegjësisë penale akterët e këtij krimi të organizuar”, ka deklaruar Hoxhaj në konferencë, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Veseli: Nuk i njoh personat e videos, jap dorëheqje nëse del që jam i përfshirë në këtë rast (Video)

Hoxhaj ka theksuar ky rast nuk mund ta ndalë agjendën shtetformuese të PDK-së.

“Kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së provave dhe as të mungesës së resurseve, por është penguar qëllimshëm nga ana e akterëve të caktuar. Për këtë arsye sot kërkoj sqarim të këtij rasti deri në fund. Asnjë përpjekje e grupeve kriminale për ta njollosur figurën e kryetarit të PDK-së nuk na ndalë në agjendën tonë shtet-ndërtuese”, përfundoi ai.