Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se pas takimit konsultativ të së mërkurës do të shohin se si do të procedojnë lidhur me mbajtjen e seancës konstituive.
Hoxhaj në një prononcim për Telegrafin konfirmoi pjesëmarrjen në takimin konsultativ të së mërkurës, duke thënë se pas këtij takimi varet pjesëmarrja e tyre në seancë.
“Ne marrim pjesë në takim konsultativ të mërkurën dhe ky është qëndrimi jonë. Se çfarë themi në takim të së mërkurës, do ta them atë ditë kur mbahet takimi”, ka thënë Hoxhaj për Telegrafin.
Ndryshe, sot kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci përfundoi seancën pas debatit të deputetëve për gjendjen aktuale në vend, ndërsa njoftoi se të mërkurën në ora 10:00 do të mbahet edhe një takim konsultativ në përpjekje për t’i dhënë një rast PAN-it të kthehet në Kuvend.
Mikullovci ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare të marrin pjesë në takimin konsultativ të së mërkurës për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve, e që do të jetë takimi i fundit i tillë konsultativ.
Në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm deputetët e koalicionit PAN dhe minoritetet.
Deputetët e PAN injoruan seancën e sodit me arsyetimin se nuk janë konsultuar për këtë seancë, por deputetët e Vetëvendosjes dhe LAA-së theksuan se me këtë PAN po blen vetëm kohë pasi nuk i ka numrat për formimin e institucioneve. /Telegrafi/