Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në panelin “Strategjia e Zgjerimit të BE-së së dhe Procesi i Berlinit në Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Konferencës për dekadën e re të shtetësisë së Kosovës.
Hoxhaj përmendi rëndësinë e konsensusit në mes të partive politike në Kosovë për tema të mëdha, për të ecur drejt Bashkimit Evropian.
“Duhet të punojmë së bashku në mënyrë që të ecim përpara me një shpejtësi të re për shtetin dhe qytetarët tanë. Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar për bashkëpunim me partitë opozitare, dhe që secila ta ketë një rol në këto pesë tema të mëdha që i kemi cekur edhe në platformën e zotit Veseli të publikuar gjatë kësaj jave”, deklaroi Hoxhaj.
Hoxhaj foli për sfidat në Ballkan, duke i listuar tri prej tyre.
“Aktualisht Ballkani ka tri sfida të mëdha: marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, çështjen e emrit të Maqedonisë me Greqinë, si dhe funksionimin e brendshëm të Bosnjës”, tha Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar se shtetet e rajonit duhet ta mbështesin dhe mos ta bllokojnë njëra tjetrën në rrugën e integrimit evropian, pasi që sipas tij, nëse vetëm njëri nga shtetet dështon në këtë rrugë, paraqet dështim të secilit prej nesh.
Duke folur se si Bashkimi Evropian e sheh Kosovën, Hoxhaj tha se ka dallim të madh se si institucionet e BE-së e shohin Ballkanin Perëndimor, dhe se si shtetet anëtare e shohin këtë rajon.
“Ekziston një momentum i ri pozitiv dhe një shans i ri për rajonin që të lëvizë nga limboja që ka qenë mes 2014-2018, duke i përmbyllur çështjet e hapura bilaterale mes vete. Secili shtet i rajonit duhet të veprojë shpejtë në arritjen e marrëveshjeve mes vete, sepse përndryshe rrezikojmë të kthehemi në status-quo’në e mëparshme”, përfundoi Hoxhaj.