Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka qëndruar për një vizitë në Zagreb të Kroacisë, ku ka marrë pjesë në konferencën “Eksperienca e Ballkanit në zgjidhjen e konfliktit mësim për Ukrainën”.
Në kuadër të vizitës zëvendëskryeministri Hoxhaj ka takuar edhe personalitete të jetës politike në Kroaci, duke filluar me kryetarin e komisionit për Politikë të Jashtme në Kroaci, Miro Kovac, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale mes dy vendeve, zhvillimet në rajon, si dhe Samitin e Ballkanit Perëndimor në Sofje.
Hoxhaj ka zhvilluar takim edhe me deputeten shqiptare në parlamentin e Kroacisë.
“Shumë kënaqësi ta takoja sot në Zagreb, deputeten shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj. Zë i fuqishëm i shqiptarëve atje dhe një urë e fortë në raportet Kosovë – Kroaci”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Takim tjetër Hoxhaj ka zhvilluar edhe me politikanin kroat Domagoj Ivan Milosevic, ku temë kryesore ka qenë bashkëpunimi ekonomik, dhe roli i Kroacisë për stabilitetin në Ballkan. /Telegrafi/