Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në raportimin e tij në Komisionin për Punë të Jashtme tha se në vitin 2018, Kosova duhet ta dërgojë aplikacionin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ai tha se anëtarësimi në këtë organizatë është proces, i cili mund të marrë rreth 2 deri 3 vjet.
Gjatë fjalës së tij, Hoxhaj shpjegoi rëndësinë dhe benefitet e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se Kosova mund të bëhet shtet anëtar i Këshillit të Evropës duke qenë se rrethanat e brendshme në këtë organizatë janë mjaft të favorshme.
Ai përmendi edhe kryesimin e këshillit të ministrave, i cili në dy vitet e ardhshme do të jetë nga shtete mike të Kosovës, si Finlanda, Danimarka, Franca dhe Kroacia.
Hoxhaj ka thënë se Kosova në vitet e fundit ka bërë përgatitje për ta pasur një aplikacion solid për Këshillin e Evropës.
Ai përmendi edhe faktin se Rusia është e suspenduar nga Këshilli i Evropës, gjë që përbën një fakt pozitiv proceduralisht dhe politikisht për aplikacionin e Kosovës. /Telegrafi/