Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në Frankfurt, ku me ftesë të euro-deputetit gjerman Michael Gahler po merr pjesë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, në mbështetje të partisë CDU.
Gjatë qëndrimit në Frankfurt, Hoxhaj ka takuar shefen e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, si dhe po merr pjesë nëpër takime të ndryshme të kandidatit Gahler me komunitetin shqiptar në Frankfurt.
Në takimin me shefen e CDU-së, Hoxhaj ka theksuar se shqiptarët po aq sa i janë mirënjohës Gjermanisë për mbështetjen ndaj Kosovës, po aq i janë mirënjohës edhe CDU-së, për mbështetjen ndaj Kosovës. Ai theksoi se suksesi i CDU-së në këto zgjedhje është në interes të Kosovës, Gjermanisë, por mbi të gjitha interes i një BE-jë më të fortë dhe më stabile.
“I ftuar nga euro-deputeti gjerman Michael Gahler po marr pjesë në fushatën CDU-së për zgjedhjet parlamentare të BE-së. Në takimin me shefen e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, në Frankfurt, theksova se shqiptarët aq sa i janë mirënjohës Gjermanisë po aq i janë mirënjohës CDU-së për mbështetjen ndaj Kosovës. Mbi gjysmë milioni shqiptarë që jetojnë në Gjermani, të të gjitha profesioneve dhe moshave, kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm në ekonominë dhe shoqërinë gjermane. Prandaj fuqizmi i CDU-së në zgjedhjet për Parlamentin Evropian është në interes të Kosovës dhe Gjermanisë, e mbi të gjitha i një BE-je më të fortë dhe më stabile”, ka thënë Hoxhaj.
“Shefja e CDU-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen ndaj CDU-së në këto zgjedhje, në vecanti ndaj kandidatit Michael Gahler”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.