Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në Konferencën e Shtatë Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Hoxhaj tha se në dhjetë vitet e fundit reformat në sektorin e arsimit i kanë shërbyer shtetndërtimit, po aq sa i kanë shërbyer qasjes së barabartë në arsim dhe rritjes së cilësisë në këtë sektor.
“Rritja e pjesëmarrjes në arsim, e financimit të tij dhe krijimi i kornizës ligjore i kanë shërbyer barazisë, cilësisë dhe shumllojshmërisë së bartësve publik dhe privat. Ndërsa tash e tutje arsimi duhet t’i shërbejë krijimit të një shoqërie stabile dhe të fortë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes shoqërisë së dijes, ku arsimi, kërkimi shkencor dhe inovacioni janë mjetet kryesore për arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.