Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Në Beograd mbahet samit kundër Kosovës, Ministria e Jashtme hesht

Foto: Arkiv

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka thënë se derisa në Beograd po mbahet Samiti i të Painkuadruarve, i cili, sipas tij ka për qëllim goditjen e Kosovës, politika e jashtme në Kosovë nuk po ndërmerr asgjë. 

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka nisur këtë shkrimin “Kush kontrollon mendimet e njerëzve, kontrollon veprimet e tyre – kjo vlen edhe për vet shtetet!”.

Ai ka shkruar se Serbia sot organizoi Samitin e të Painkuadruarve, mbajtja e të cilit, sipas tij, nuk ka për qëllim të kujtojë e flasë për 60-vjetorin e themelimit të kësaj lëvizje, por sipas Hoxhajt ky samit shpërfaq dy qëllime të politikës së jashtme serbe, të cilat do të promovohen jo vetëm gjatë kohës së mbajtjes së samitit, siç thotë ai, por që do kenë edhe efekte në kohë.

“Qëllimi i parë është të godasë Kosovën në planin ndërkombëtar! Qoftë me tërheqje të njohjeve apo me bllokim të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare! Qëllimi i dytë minimi i vlerave të Perëndimit kudo në botë. Sepse dihet se përmes kësaj lëvizje po përfaqësohen interesat e Rusisë dhe të Kinës, aty ku këto nuk mund ta bëjnë vetë këtë! Meqë çdo lloj shteti, race e feje është mbledhur në Beograd, ndër tjerash kundër Kosovës, politika e jashtme e Kosovës duhet të mbledhë forcën, të paktën të dalë me një qëndrim me shkrim për këtë ngjarje antiperëndimore, në të cilën ministri i jashtëm rus Lavrov është mysafir nderi i Samitit!” ka shkruar tutje Hoxhaj.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Kush kontrollon mendimet e njerëzve, kontrollon veprimet e tyre – kjo vlen edhe për vet shtetet!

Pasi gjatë tërë vitit shiti armë dhe shpërndau vaksina kudo në botë me theks për të goditur Kosovën, Serbia sot organizoi Samitin e të Painkuadruarve! Mbajtja e këtij samiti sot në Beograd, nuk është se ka për qëllim të kujtojë e flasë për 60-vjetorin e themelimit të kësaj lëvizje. Ky samit shpërfaq dy qëllime të politikës së jashtme serbe, të cilat do të promovohen jo vetëm gjatë kohës së mbajtjes së samitit por që do kenë edhe efekte në kohë.

Qëllimi i parë është të godasë Kosovën në planin ndërkombëtar! Qoftë me tërheqje të njohjeve apo me bllokim të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare! Qëllimi i dytë minimi i vlerave të Perëndimit kudo në botë. Sepse dihet se përmes kësaj lëvizje po përfaqësohen interesat e Rusisë dhe të Kinës, aty ku këto nuk mund ta bëjnë vetë këtë!

Meqë çdo lloj shteti, race e feje është mbledhur në Beograd, ndër tjerash kundër Kosovës, politika e jashtme e Kosovës duhet të mbledhë forcën, të paktën të dalë me një qëndrim me shkrim për këtë ngjarje antiperëndimore, në të cilën ministri i jashtëm rus Lavrov është mysafir nderi i Samitit!

Të paktën të bënte edhe ndonjë lajm në mediat ndërkombëtare, të tregojë që Kosova ka një politikë të jashtme parimore dhe properëndimore. Ose t’iu dërgonte ndonjë pozicion të shkruar dhe zyrtar këtyre vendeve që kanë shkuar sot në Beograd dhe t’ua bëjë me dije se çka është Kosova në vitin 2021! Por as njëra dhe as tjetra nuk ka ndodhur!

Por një gjë dihet: “kush kontrollon mendimet e njerëzve, kontrollon veprimet e tyre,” dhe kjo vlen edhe për vet shtetet!

Nëse nuk kanë dije, përvojë dhe vullnet për suksese të tjera, të reja, në politikë të jashtme, të paktën duhet të mbrojnë të arriturat e shtetit të Kosovës në kohën kur Serbia dëshiron t’i rrënojë ato. Çfarë është ky vetizolim krenar dhe i vet imponuar, ku politika e jashtme e Kosovës nuk ka guxim as për t’u përballur me “farsat” dhe “truket” e Serbisë!

Exit mobile version