Telegrafi

Hoxhaj: Ndëshkoni me votë mohuesit e pavarësisë dhe ushtrisë së Kosovës

Foto: Arkiv

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka zyrtarizuar sot kandidaturën për kryetar të Shtimes, ku në garë do të jetë Naim Ismajli.

Gjatë zyrtarizimit të kësaj kandidature ka folur ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndëshkojnë me vota mohuesit e lirisë e pavarësisë, mashtruesit që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia.

“Ndëshkoni këta mohues të lirisë e pavarësisë që para disa vitesh thonin se Kosova kurrë nuk do të ketë ushtri e sot parakalojnë para kësaj ushtrie dhe thurin lavde për FSK-në. Prandaj ndëshkoni këta mashtrues që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia – ndërsa sot bëjnë turr e vrap dhe janë të gatshëm për kompromise të rënda për funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se nuk duhet besuar sipas tij këtyre mashtruesve që pretendojnë se historia duhet të nisë me ta sepse kjo nuk do të ndodhë.

“ Historia e Kosovës është historia e këtij populli dhe askush s’mund ta ndryshojë atë” ka thënë Hoxhaj. /Telegrafi/