Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Ndalesa e Gjuriqit dhe arrestimi i Nehat Thaqit nuk janë të ndërlidhura me njëra tjetrën

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisur raportimin në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.

Duke folur për zhvillimet e fundit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë pas arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaqi, ministri Hoxhaj ka theksuar se arrestimi i Thaçit, është veprim politik i papranueshëm.

“Sa i përket zhvillimeve të ditëve të fundit në raport me Serbinë dhe rastin e ndalimit të oficerit policor, Nehat Thaçi me të drejtë na ka shqetësuar të gjithëve dhe njëkohësisht na ka mobilizuar si institucione të Kosovës. Me përgjegjësi të plotë deklaroj se task forca që kemi krijuar në nivel të Qeverisë së Kosovës po bën gjithçka për ta kthyer në Kosovë sa më parë oficerin policor, Thaçi”, ka deklaruar ministri Hoxhaj, transmeton “Zëri”.

Me këtë rast ministri ka sqaruar edhe vendimin e tij për të ndaluar hyrjen e Marko Gjurqit në Kosovë pas provokimeve të njëpasnjëshme të bërë nga ana e tij në dëm të normalizimit të raporteve ndërmjet dy shteteve.

“Vendimet unë i kam marrë për të mos aprovuar në dy raste të ndara kërkesat e Marko Gjuriq për të vizituar Kosovën, pas deklaratave dhe sjelljeve të tij provokuese që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona dhe që janë po ashtu kundër interesit të serbëve të Kosovës”. /Zëri/

Exit mobile version