Site icon Telegrafi

​Hoxhaj: Mësuesit janë heronj të ditëve tona

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj me rastin e Ditës së Mësuesit, ka thënë se Republika e Kosovës, liria dhe pavarësia e saj, nuk do të ishin të mundura pa mësuesit dhe rolin e tyre të jashtëzakonshëm përgjatë historisë.

Hoxhaj ka shkruar në Facebook se “misioni i tyre i hershëm për zhdukjen e analfabetizmit dhe më pas organizimi paralel i mësimit shqip në kohën e okupimit serb u bë platforma kombëtare që e ruajti kulturën e popullit tonë nga zhdukja”.

“Mësuesit janë heronj të ditëve tona. Sot, patriotizmi më i madh që mund ta shprehim është edukimi i gjeneratave dhe ndërtimi i një baze të fortë kombëtare e shoqërore përmes arsimimit të mirëfilltë. Jam krenar që një pjesë të madhe të karrierës sime ia kam kushtuar avancimit të arsimit në Kosovë, krijimit të qasjes në shkollim për secilin qytetar të Kosovës dhe lehtësimin e barrierave ekonomike e gjeografike për mësimdhënësit, nxënësit dhe studentët. Jam mirënjohës dhe i përulem kontributit të jashtëzakonshëm të secilit mësues në Kosovë”, ka pohuar ai.

Hoxhaj ka shkruar se “Mbështetja për ta duhet të vazhdojë në mënyrë konsistente. Asnjëherë nuk është mjaft t’i mbështesim ata që çdo ditë me punën e tyre e ndërtojnë bazën e shoqërisë. Urime 7 Marsi”. /Telegrafi/

Exit mobile version