Site icon Telegrafi

Hoxhaj merr premtim nga Kurz se heqja e vizave së shpejti do të jetë çështje e mbyllur (Video)

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në vizitën zyrtare që është duke zhvilluar në Austri, gjatë ditës së sotme ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, ku temë e bisedës ka qenë procesi i liberalizimit të vizave.

Në turneun evropian të ditëve të fundit për të lobuar për heqjen e vizave, Hoxhaj ka ndarë me homologun austriak shqetësimin dhe njëherësh përkrahjen e palës austriake për ta përfunduar këtë proces sa më parë.

Temë diskutimi, ka qenë edhe raporti bilateral e veçmas bashkëpunimi më i mirë ekonomik.

“Sot kam takuar ministrin e punë të jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin kemi biseduar për tri çështje të rëndësishme. Së pari, se si Austria nga një partner i rëndësishëm politik të shndërrohet në një partner më të rëndësishëm ekonomik, meqë investimet e huaja direkte për Kosovën janë të rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës. Së dyti, si Austria ta mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave gjë që kemi marrë mbështetje të plotë nga pala austriake, dhe së fundi sa i takon anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare ku besoj që në një të ardhme të afërt do të kemi lajme pozitive për Kosovën” ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, kryediplomati austriak, Kurz ka thënë se Austria është një mbështetëse e madhe e Kosovës.

“Falënderoj ministrin Hoxhaj për vizitën e tij. Austria dhe Kosova kanë lidhje të fuqishme historike. Kjo shprehet edhe nëpërmjet lidhjeve tona shoqërore që ne kemi. Shpresoj që në të ardhmen shkëmbimi politik dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë të zgjerohet edhe më tutje” ka thënë Kurz.

Në ndërkohë, Hoxhaj ka takuar edhe Shoqatën e Miqësisë Kosovë-Austri, dhe ambasadorët e Australisë dhe Estonisë.

Exit mobile version