Telegrafi

Hoxhaj merr pjesë në shugurimin e katedrales, vlerëson lart Shën Terezën

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë sot në shugurimin e katedrales Nëna Terezë.

Hoxhaj ka thënë se kjo është një ngjarje e madhe jo vetëm për komunitetin katolik në Kosovë, por edhe për shqiptarët kudo në botë.

Hoxhaj është shprehur krenar me veprat humaniste të Nënës Terezë, gjatë gjithë jetës së saj. Ai ka bërë thirrje që të ndiqet shembulli i saj për më shumë paqe dhe tolerancë në botë.

“Një ngjarje e madhe sot në Prishtinë. Shugurimi i katedrales Nëna Terezë është një moment i veçantë jo vetëm për komunitetin katolik në Kosovë, por edhe për shqiptarët kudo. Krenar që i dhamë botës një humaniste e cila të vetmin mision e kishte të ndihmonte ata që kishin nevojë dhe ta kthente buzëqeshjen në fytyrat e miliona njerëzve. Shën Tereza është shembulli qe duhet ta ndjekim të gjithë në mënyrë që bota të ketë paqe, tolerancë dhe mirëqenie”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Në inaugurimin e katedrales kanë marrë pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaci, ish-presidentja Jahjaga, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa dhe drejtues të tjerë të institucioneve në vend. /Telegrafi/