Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Lladrovci do të fitojë pa balotazh në Drenas

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka konfirmuar se kandidimi i Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte është punë e kryer.

Ai ka thënë se kandidimet e tjera nga dega e PDK-së në Drenas janë mendime të izoluara, që s’e kanë përkrahjen e Kryesisë së qendrës.

“Kandidati për kryetar të Drenasit është Ramiz Lladrovci që me vendim të Kryesisë së PDK-së është konfirmuar që të garojë në Drenas. Sikurse Agim Aliu në Ferizaj dhe kryetarët aktualë të komunave të tjera do të jenë kandidatë. Aty ku qeverisim ata kryetarë të vazhdojnë. Këtë ia kam bërë të qartë edhe Kryesisë së degës në Drenas dhe që kjo është temë e mbyllur. Kandidatura e Lladrovcit është temë e mbyllur”, tha Hoxhaj, njofton Klan Kosova.

Hoxhaj ka thënë se përkundër mosbindjeve, partitë politike kanë rregulla dhe njëra prej tyre e partisë që po udhëheq është që degët i propozojnë kandidatët ndërsa miratimin e bën Kryesia qendrore.

U.d kryetari i PDK-së lavdëroi punën e deritanishme të Lladrovcit në krye të Drenasit dhe tha se është i bindur që ai do të fitojë sërish, madje pa balotazh.

“Ne kemi komuna dhe shqetësime më të mëdha sesa bastionet e PDK-së siç është Drenasi dhe Skenderaj”, tha ai.

Exit mobile version