Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj para delegatëve të konventës së dhjetë të kësaj partie tha se një PDK e fuqishme do të thotë një Kosovë më e fortë dhe kjo sipas tij ndodhë vetëm me rikthim si partia e parë në vend.
Hoxhaj para të pranishmëve tha se PDK ka përvojën, dijen dhe përkushtimin të kthehet si partia e parë në vend.
Ai tha po ashtu se PDK-ja nuk është parti e krijuar në zyre të nxehta, por një parti që ka lindur nga lufta e shenjtë e UÇK-së dhe nga burgjet e ftohta të Serbisë.
“Jemi parti që kemi ditur t’i përshtatemi rrethanave, kohës dhe interesave të qytetarëve”, tha ai, raporton Telegrafi.
Hoxhaj ka përmendur edhe dy ish-kryetarët e kësaj partie, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
“Jam i bindur se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi do të kthehen faqebardhë pasi që lufta jonë ka qenë e drejtë. Ata do t’i kthehen familjeve të tyre dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Ne bashkëpunëtorët e tyre jemi shumë krenarë me ta…. Ata kurrë nuk e vendosën interesin personal e partiak mbi interesat e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Kryetari në detyrë i PDK-së në konventën e dhjetë të kësaj partie kritikoi Qeverinë Kurti, duke thënë se nuk ka asnjë prioritet.
“Kosova nuk është shteti i dështuar siç pretendojnë kundërshtarët e Kosovës dhe mjerisht, Qeveria nga brenda”, tha ai, duke shtuar se Kosova për një kohë ka arritur shumë dhe kjo është trashëgimi edhe e PDK-së.
“Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë prioritet, erdhi për shkak të popullizmit të rrejshëm… Vendi ka rrëshqit si asnjëherë më parë në një iluzion, që po përcillet me degradim nga brenda dhe izolim nga jashtë. Prandaj, qytetarët sot i kanë drejtuar sytë kah PDK-ja”, tha Hoxhaj.
Ai foli edhe për atë pse nuk ka kandiduar për kryetar të PDK-së duke thënë se ka dashur që gjenerata e re ta marr drejtimin.
“Ndryshimet në politikë, shoqëri vijnë nga rinia…Kryetari i ri do të ketë mbështetjen e të gjithë neve… ta ruajmë unitetin e partisë”, është shprehur ndër të tjera, Hoxhaj.
Ndryshe, konventa po vazhdon, ndërsa deri tani kandidat i vetëm për kryetar të PDK-së është Memli Krasniqi. /Telegrafi/