Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Kosova është pjesë e Strategjisë së BE-së për Ballkanin, kjo nuk ka dyshim (Video)

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka folur për Strategjinë e re të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ku është thënë se Spanja ka vendosur që edhe në këtë drejtim të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Hoxhaj ka thënë në një adresim për media se Kosova është pjesë e kësaj Strategjie dhe kjo nuk ka asnjë dyshim.

“Kosova është pjesë e kësaj strategjie për zgjerim dhe nuk ka asnjë dyshim, dhe është lajm i mirë për Kosovën dhe vendet e rajonit që Bashkimi Evropian del me një plan për zgjerim”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj më tej ka theksuar se ajo për të cilën janë angazhuar është që nëse ka afate kohore për Serbinë duhet të ketë edhe për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Lajme të këqija vijnë nga Brukseli – Spanja thotë se Kosova nuk është pjesë e procesit të zgjerimit (Dokument)

Duke komentuar qëndrimin e shtetit të Spanjës që Kosova mos të jetë pjesë e kësaj Strategjie, zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se ky është qëndrim i një shteti anëtar.

“Qëndrimi i Spanjës mund të jetë qëndrim i një shteti anëtar dhe ne po punojmë që ta kemi mbështetjen e të gjithëve”, u shpreh Hoxhaj.

Ai më tej shtoi se Kosova është pjesë e kësaj strategjie, dhe shqetësimi i vetëm ka të bëjë me afate kohore.

“Nëse thuhet për Serbinë çka ndodh në vitin 2021- 2025 ne duam që edhe për Kosovën të thuhet se çfarë do të bëhet në këto vite. Nëse Serbia bëhet shtet anëtar i BE-së për shkak të reformave të brendshme dhe dialogut me Kosovën, ne duam që edhe Kosova të bëhet anëtar për shkak të reformave dhe dialogut me Serbinë, kjo është qasja jonë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj tregoi se nesër do të zhvillojë një takim me ambasadorët e BE-së në orën 09:00, takim ky i ftuar nga Apostolova.

Hoxhaj po ashtu sot gjatë ditës ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme, sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Për të arritur suksese në këtë proces, ai vlerësoi se është i domosdoshëm që të ngritët niveli i bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit, Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version