Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Tiranë ku po merr pjesë në Samitin e Diasporës, i cili ka mbledhur mëse një mijë pjesëmarrës nga 40 vende të ndryshme të botës.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Hoxhaj ka theksuar rolin e diasporës shqiptare në zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri.
Ai ka thënë se arritjet e shqiptarëve kanë qenë edhe mision i diasporës shqiptare, e cila ka qëndruar pranë bashkëkombasëve të vet historikisht, që nga formimi i shtetit shqiptar, përpjekjet për liri të shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi, përpjekje e cila kulminoi me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
Pas paralajmërimit të një dite më herët të Presidentit Hashim Thaci, kryediplomati Hoxhaj ka konfirmuar Prishtinën, si nikoqire të Samitit të ardhshëm të Diasporës.
Ai po ashtu ka shpalosur planet e përbashkëta të ministrive të punëve të jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka njoftuar se shumë shpejtë do të hapen edhe dy konsullata të përbashkëta në Turqi dhe në Danimarkë.
“Misioneve tona të përbashkëta konsullore, do t’u shtohen së shpejti edhe dy të tjera në Danimarkë dhe në Turqi”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka përmendur edhe emra të shumtë të rinj të diasporës shqiptare, që përmes talentit të treguar në art, muzikë, kulturë e sport janë bërë të njohur për gjithë botën.
Ai është shprehur i lumtur që në vitin 2016 me rrjedhën e zhvillimeve dhe me një diasporë të shpërndarë mirë gjeografikisht, mund të themi që ekziston faktori shqiptar në Ballkan dhe në botë./Telegrafi/