Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e përçarë, fajtorë VV dhe LDK

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se koalicioni Vetëvendosje-LDK që fitoi në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, e ka çuar Kosovën drejt një qorrsokaku, në një bllokadë të brendshme e të jashtme si asnjëherë më parë.

“Koalicioni Vetëvendosje –LDK i cili fitoi zgjedhjet e tetorit 2019, e ka drejtuar Kosovën drejt një qorrsokaku, në një bllokadë të brendshme dhe të jashtme si asnjëherë më parë. Asnjëherë më parë Kosova nuk ka qenë më e përçarë, më e polarizuar. Asnjëherë nuk ka pasur një grumbullim të tillë të njerëzve të cilët i thonë vetes qeveri. Kur je qeveri nënkupton një dinjitet krejt tjetër dhe kjo qeveri dhe ajo e kaluara. Për ne shqetësimi kryesor është se ku janë arritjet e Kosovës në 20 vitet e kaluara dhe cilat janë arritjet në vitin 2020? Ky është shqetësimi ynë kryesor dhe përgjegjësia për mungesën e arritjeve i takon edhe Vetëvendosjes edhe LDK.”, ka thënë Hoxhaj për Report TV.

Duke folur për menaxhimin e pandmisë, Hoxhaj tha se qeveria Hoti dhe ajo Kurti dështuan ta vënin në kontroll përhapjen e virusit.

“Mendoj se qeveria Hoti dhe Kurti dështuan në vënien nën kontroll të përhapjes së virusit. Nuk e di sesi është gjendja në Shqipëri, por në vendet perëndimore ka pasur një qartësi të plotë sesi janë marrë vendimet në raport me pandeminë, ndalimin e përhapjes së virusit, mbylljen e bizneseve apo shkollave dhe institucioneve që e mbulojnë atë. Për rrugën që mund të ndiqet duke qenë se ndikojnë drejtpërdrejt në të. Këtu nuk ka pasur një qartësi të vendimmarrjes”, ka thënë Hoxhaj.

Ai, tutje ka thënë se për 7 muaj rresht qeveria nuk arritur të miratojë një paketë të rimëkëmbjes ekonomike dhe javën e kaluar, edhe pse në opozitë, PDK përmirësoi dhe mbështeti pakon e cila ka për qëllim ta ndihmojë qytetarin dhe bizneset.

“Qeveria ka dështuar në menaxhimin e pasojave të pandemisë. Rastin konkret e kemi pasur 7 muajt e fundit kur qeveria nuk arriti të miratojë një paketë të rimëkëmbjes ekonomike, e cila në fund të fundit ishte paketë sociale. Ajo u përmirësua vetën në saj të ndërhyrjes së PDK-së. Javën e kaluar ndryshe nga opozitat në vendet e tjera ne e mbështetëm paketën, për të shpëtuar ekonominë nga kriza. Të ndihmojmë qytetarin, por natyrisht nëse do të kishte pasur vullnet nga ata do të ishte bërë edhe më herët”, ka shtuar Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se viti 2020 për Kosovën ka qenë një prej viteve më të vështira, më të komplikuara dhe më të paqarta.

“Mendoj se 2020 për Kosovën ka qenë një prej viteve më të vështira, më të komplikuara dhe më ta paqarta.  Fillimisht kishim situatën e pandemisë, pastaj një situatë mungese stabiliteti qeveritar, ku u rrëzuar qeveria Kurti dhe erdhi qeveria Hoti, kishim zhvillimin në dialogun Kosovë-Serbi dhe në fund ishte goditja më e madhe që mund t’i ndodhte Kosovës, konfirmimi i aktakuzave për z.Thaçi, z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi dhe për të tjerë nga Gjykata Speciale”, ka thënë Hoxhaj.

Ai, tutje thotë se ajo çfarë është prezantuar në raportin e Dick Martyt, është një pretendim i sponzoruar nga Rusia dhe Serbia.

“Në pikëpamjen tonë ajo çfarë është prezantuar në Raportin e Dick Marty-t, i cili është më shumë një pretendim i sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia. Mos-përmendja e këtyre pretendimeve në procesin në Hagë, ngre realisht dilema të mëdha. Se në fund të ditës ngre pikëpyetjen se përse u themelua kjo gjykatë, sepse në kohën kur u publikua ky raport në mesin e partnerëve tanë ka pasur kërkesa që të verifikohen pretendimet e Dick Marty-t dhe të hiqen këto re të zeza mbi Kosovën dhe të mos e dëmtojnë imazhin e saj. Dhe fakti që tani nuk shihen askund kjo ngre dilema të mëdha tek ne.”, ka thënë Hoxha, për Report Tv.

Hoxhaj tha se raporti Martyt është sulm racist ndaj Kosovës, pasi nuk po atakohen vetëm individët por po atakohet i gjithë karakteri i luftës së UCK-së.

“Unë e kam parë raportin e Dick Marty-t si një sulm racist ndaj Kosovës. Çdo gjë që thuhet aty është i papranueshëm dhe ky ka qenë edhe qëndrimi im gjatë kohës kur kam qenë ministër i jashtëm, por ngjarjet rrodhën në atë drejtim dhe gjykata është në funksion. Unë mendoj se përveç betejës ligjore që duhet të bëjë në gjykatë, që të mbrojë shokët tanë, të mbrojë betejën tonë të lirisë, që ta kuptojë se ata nuk janë në gjykatë si individ, por është edha karakteri i luftës tonë. Ne duhet të zhvillojmë një betejë politikë edhe brenda që të jemi sa më të unifikuar. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të mbrojtur interesin e Kosovës. Ndërsa nuk jam për dilemat që ngrini, sepse nuk janë synimi i asnjë nga partitë politike”, ka thënë Hoxhaj.

Exit mobile version