Telegrafi

Hoxhaj kërkon përgjigje nga Hungaria, pse votoi kundër Kosovës në KE: Po mbështetë politikat hegjemoniste të Beogradit

Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ka kërkuar përgjigje nga Hungaria se pse kanë votuar kundër Kosovës në Komitetin e Ministrave për ta futur Kosovën në rend dite për votim për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, Hoxhaj ka thënë se është për të ardhur keq që Hungaria ka ardhur në këtë pikë për të mbështetur politikat hegjemoniste të Beogradit në rajon.

“Vota e Hungarisë në Këshill të Evropës kundër Kosovës është politikisht dhe moralisht e gabuar”.

“A do të ketë miku im ministri i jashtëm Péter Szijjártó një shpjegim se si ndodhi kjo?”, ka shkruar tutje Hoxhaj.

Lexo po ashtu Këto janë 33 shtetet që votuan pro anëtarësimit të Kosovës në KiE, Hungaria befason me votën kundër

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime./Telegrafi/