Telegrafi

Hoxhaj kërkon njohjen nga pesë vende jo-njohëse të CARICOM-it

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë vizitës në Guyana, po e vazhdon lobimin për t’i sjellë njohje të reja Kosovës.

Sipas një njoftimi të MPJ-së, Hoxhaj gjatë qëndrimit në Guyana ka kërkuar nga përfaqësuesit e pesë vendet jo njohëse, anëtare të CARICOM-it që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Në takimet e ndara që ministri Hoxhaj ka zhvilluar me presidentin e Suriname, Dési Bouterse, me kryeministrin e St Vincent dhe Grenadines, Ralph Gonsalves, me kryeministrin e Jamaicas,Andrew Holness, me ministren e Punëve të Jashtme të Barbarosit, Maxime McClean dhe me homologun e Bahamas, Frederick Mitchel, ministri ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte në realizimin e projekteve të përbashkëta.

“Njohja e Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këto shtete do të hapte një kapitull të ri të bashkëpunimit, ku vendet tona do të mund të koordinoheshin dhe të promovonin tema të interesit të përbashkët në të gjitha fushat e jetës”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se pavarësia e Kosovës tashmë është një fakt gjeopolitik dhe njohja diplomatike e saj është e pandalshme dhe me një gjeografi globale.

“Kosova është zgjeruar në rrjetin e bashkëpunimit dypalësh meqë, në një botë të ndërvarur, shtetet e vogla duhet ta mbështesin njëra-tjetrën dhe njohja që do t’i bëhej Kosovës do të ishte mbështetje më e madhe në të drejtën e saj për shtetësi”.

Ministri Hoxhaj vizitën në Guyana po e zhvillon në kuadër të angazhimit për të shtuar njohjet e Republikës së Kosovës shtet të pavarur nga vendet e tjera të botës. /Telegrafi/