Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Kadriu e Hashimi, mbesin luftëtarë të përjetshëm të popullit tonë

Enver Hoxhaj sot ka pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK nga Kryesia e partisë.

Me këtë rast Hoixhaj ka falënderuar Kryesinë duke e konsideruar si të vështirë këtë detyrë.

Ai ka thënë Partia Demokratike e Kosovës ndodhet para një sfide të rëndë.

Hoxhaj ka shkruar edhe për aktakuzat që Specialja u ka ngritur Thaçit e Veselit, duke thënë se ata sërish “edhe njëherë morën mbi supet e tyre fatin e rëndë të Kosovës”.

“Kadriu e Hashimi, mbesin luftëtarë të përjetshëm të popullit tonë. Ushtarët janë të fundit që kthehen në shtëpi pas betejave!”

Postimi i plotë i Enver Hoxhajt

Kosova sërish ndodhet para një sfide të madhe. Partia Demokratike e Kosovës ndodhet para një sfide të rëndë.

Dy udhëheqësit emblematikë të luftës së UÇK-së po përballen me sfidën më të panevojshme e absurde të ngritjes së aktakuzës kundër tyre!

Në rrugën e saj të gjatë e plot sakrifica Kosova bëri një luftë të drejtë kundër një pushtuesi i cili kreu masakra dhe krim kundër njerëzimit dhe për të cilën gjë u alarmua bota e qytetëruar dhe përkrahu luftën tonë të drejtë!

Kjo luftë e drejtë, legjitimitetin e së cilës e pranoi bota demokratike, nuk mund të përmendet pa emrat e dy burrështetasve të mëdhenj z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, me të cilët pas luftës ishim edhe bashkëpunëtorë të ngushtë në të gjitha proceset demokratike që kaloi Kosova këto 20 vite!

Bashkëpunimi i plotë i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit me drejtësinë, pos që flet për dashurinë e tyre për Kosovën, tregon se ata sërish, edhe njëherë morën mbi supet e tyre fatin e rëndë të Kosovës! Ata që i njohin nga afër e dinë se të tillë ishin edhe para 30 vitesh kur frymëzuan lëvizjet për liri. Kadriu e Hashimi, mbesin luftëtarë të përjetshëm të popullit tonë. Ushtarët janë të fundit që kthehen në shtëpi pas betejave!

Ne besojmë në ta!

Ndërsa unë sot ndjehem i respektuar që Kryesia e partisë më ka besuar detyrën e vështirë dhe të palakmueshme të ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë. Besoj se këtë sfidë do ta përballoj me solidaritetin dhe unitetin brenda partisë. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen.

Në këto momente Kosovës i duhet qetësia dhe maturia, afrimi dhe jo ndasia, dora e bashkëpunimit dhe jo e përçarjes! Bashkë do t’ia dalim!

Exit mobile version