Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Ka kohë për zgjedhjen e presidentit, me atë duhet të merret koalicioni qeverisës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë gjatë konferencës për medie se me çështjen e zgjedhjes së presidentit duhet të merret koalicioni qeverisës.

Hoxhaj, i cili sapo u emërua ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, tha se nuk kanë diskutuar për këtë çështje.

“Ne si PDK sot kemi pas një mbledhje të parë pas situatës së jashtëzakonshme dhe të vështirë që kemi pas dje. Prej temave që kemi biseduar për atë që lajmërova sot. Çështja e zgjedhjes së Presidentit mendoj se ka kohë e hapësirë. Kjo mendojmë se mbi të gjitha është pyetje për partnerët e koalicionit, ata e kanë shumicën në Kuvendin e Kosovës, ata do të duhej të marrin një qëndrim për një temë të tillë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj tha se gjatë kohës sa PDK-ja është në opozitë po dëshmohet që të tjerët nuk po ofrojnë stabilitet e siguri.

Lexo po ashtu Hoxhaj thotë se Veseli e Thaçi u sollën si burrështetas, konfirmon se do të jetë ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së

“Na jemi në një situatë të tillë politike si PDK, që nuk kemi shqetësime të kësaj natyre, se si sillet zonja Osmani në ngutin e saj që ta marrë postin e presidentit dhe shqetësime se çfarë do të ndodhë me koalicionin qeveritarë. Është konferenca e parë pas një ditë dramatike siç ishte dje, jo vetëm për PDK-në por gjithë Kosovën. Në një kontekst 21 vitesh të lirisë dhe më së paku ne kemi pasur kohë e hapësirë e preokupim që të bisedojmë çfarë mund të ndodh me Qeverinë dhe nuk e kemi vëmendjen aty dhe nuk do ta kemi këtë vëmendje. Por, shqetësimin çka e kemi është që qytetarët e Kosovës, pas një vjet të qëndrimit në opozitë, e kanë parë që të tjerët ofrojnë vetëm jo-stabilitet, jo siguri, jo parashikueshmëri dhe vetëm na jemi shtylla e të ardhmes dhe stabiliteti që mund t’i ofrohet Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ai theksoi se tash e tutje, nuk do të komentojnë asnjërën nga veprimet e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Komenti jonë është që duhet ta dini sot dhe për një kohë të gjatë, gjatë muajve në vazhdim. Çdo gjë që ka të bëjë me procesin që po zhvillohet në Hagë, ju duhet tu drejtoheni avokatëve të z. Thaçi dhe Veseli. Çkado që ka ndodh sot edhe gjatë kohës në vijim duhet tu drejtoheni atyre”, tha Hoxhaj. /Telegrafi/

Exit mobile version