Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Historia e Mitrovicës nuk mund të shkruhet pa Bajram Rexhepin

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar lidhur me vendosjen e fotografive të 27 personaliteteve më të shquara në historinë e qytetit të Mitrovicës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se historia e Mitrovicës nuk mund të shkruhet pa Bajram Rexhepin dhe se në mesin e atyre fotografive do të duhej të ishte edhe ajo e Rexhepit.

Sipas tij, më i rëndë se harrimi i historisë është shtrembërimi i saj dhe kur kjo ndodh në një qytet që ka prodhuar kaq shumë histori, kjo është abuzim që përbuz të kaluarën dhe që fyen të tashmen.

“Bajram Rexhepi është vetë përpjekja, rezistenca dhe nderi i këtij qyteti. Bajrami ishte zëri i minatorëve, krenaria e mjekëve, heroi i luftës dhe i paqes, por edhe ajka e intelektualëve dhe melodia e rokut mitrovicas. Tentimi i Komunës së Mitrovicës për ta anashkaluar figurën e tij, por edhe të shumë intelektualëve, atdhetarëve e artistëve të mëdhenj të këtij qyteti, si figura që me djersën e tyre kanë ndërtuar rrëfimin për këtë qytet, është mungesë themelore e edukatës dhe e njohurive bazike për vetë themelet mbi të cilat është ngritur Mitrovica.”, ka shkuar ai.

Sipas Hoxhajt, figura e Bajram Rexhepit dhe intelektualëve tjerë të Mitrovicës janë më të mëdha se vlerësimi mbi baza partiake, që shpërfaq injorancën e thellë të udhëheqësve të kësaj komune dhe është veprim që gjymton në thelb historikun e Mitrovicës.

“Është vërtet për keqardhje, që një qytet me të kaluar kaq të pasur ka rënë në duart e një qeverisjeje të tillë, e cila përbuz vlerat e vërteta. Por, lajmi i mirë është se ky pushtet që mendon se historia fillon me ta, po perëndon dhe dielli për Mitrovicën do të lindë përsëri.”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version