Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Hashim Thaçi do të kthehet fitimtar edhe nga kjo betejë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tashmë ish-presidentit Hashim Thaçi, nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.

Hoxhaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se Thaçi do të kthehet fitimtar nga kjo betejë.

“Historia e Kosovës dhe liria e saj kanë emër. Ky emër, Hashim Thaçi, do të kthehet fitimtar edhe nga kjo betejë për të lartësuar edhe më, luftën e drejtë të UÇK-së e popullit të Kosovës! Besojmë në ty miku im!”, shkruan Hoxhaj.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të vendit.

Thaçi këtë e bëri të ditur në një konferencë për media.

Lexo po ashtu Thaçi jep dorëheqje nga pozita e presidentit

“Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, tha ai, raporton Telegrafi.

“…Për të mbrojtur integritetin e Presidencës, shtetit të Kosovës, qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës dhe duke respektuar partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare sot jap dorëheqje nga pozita  e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Lexo po ashtu Çfarë parasheh Kushtetuta e Kosovës në rastin kur Presidenti i vendit jep dorëheqje?

Kujtojmë se, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. /Telegrafi/

Exit mobile version