Gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit, partitë politike në pushtet kanë filluar garën për këtë post.
Pas AAK-së, tash edhe LDK synon presidentin. E PDK e vlerëson si garë të pamoralshme.
Pavarësisht se presidentit i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka edhe 6 muaj mandat, apetitet e partive politike aktualisht në pushtet janë shtuar, madje edhe duke u deklaruar publikisht se ky post u takon atyre.
Këta zëra janë shtuar sidomos pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj presidentit Thaçi e cila ende mbetet e pakonfirmuar.
Lidhja Demokratike e Kosovës po e kërkon pozitën më të lartë shtetërore pak ditë pasi Ramush Haradinaj tha se vendi shkon në zgjedhje nëse ai nuk e merr postin e presidentit.
Zv.kryeministri i Republikës së Kosovës nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se Kosova e ka presidentin të cilin e respekton AAK, por nëse në rrethana të tjera do të diskutohej njeriu më i denjë për këtë post do të ishte Ramush Haradinaj.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj garën e partnerëve të koalicionit për postin e presidentit e ka quajtur të pamoralshme.
Tutje Hoxhaj ka deklaruar në RTK se LDK dhe AAK do të duhej të merreshin me tema që e preokupojnë qytetarin e jo me pazare politike.
Ndërkohë, nesër në orën 14:00 është paralajmëruar se do të mbahet një takim i krerëve të koalicionit qeverisës Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj ku temë diskutimi pritet të jetë shkuarja në Uashington dhe çështja e Presidentit.