Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Fushata agresive e Serbisë kundër Kosovës, po e bën të pamundur dialogun për normalizim

Veprimet e fundit të Serbisë, duke përfshirë kampanja të vazhdueshme agresive kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, si dhe deklarimet e fundit të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në Sofje, kanë nxitur reagimin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në Twitter, Hoxhaj thotë se veprime të tilla po e bëjnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të pamundur për t’u zhvilluar.

Më tej, Hoxhaj ka shkruar se Kosova do të ndërmarrë veprimet e saj në kundërpërgjigje të këtyre fushatave të Serbisë kundër Kosovës, sepse këto janë kundër normalizimit të marrëdhënieve.

“Fushata agresive dhe sistematike për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe dalja publikisht e Serbisë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, në Sofje, po e bëjnë të pamundur dialogun mes dy shteteve. Kosova do të kundërpërgjigjet ndaj këtyre veprimeve proporcionalisht, sepse të njëjtat janë kundër normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Së fundmi, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka deklaruar se për Serbinë është e pakuptimtë pjesëmarrja e Kosovës në samitin në Sofje. Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë, vazhdon të krenohet me punën e saj në tërheqjen e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

Këto veprime, si dhe ngjarjet e javës që lamë pas, ku u arrestua Marko Gjuriq, e kanë bërë të paqartë nëse Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, meqë edhe ashtu shumica e marrëveshjeve nuk janë duke u respektuar, sidomos nga ana e shtetit serb. Në anën tjetër, ky është një parakusht i paraparë edhe në strategjinë e re për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të dy shtetet të mund të shënojnë progres në procesin eurointegrues. /Telegrafi/

Exit mobile version