Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera.
Duke e falënderuar për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës, ministri Hoxhaj e ka njoftuar atë për angazhimin e institucioneve të Kosovës për të përmbushur obligimet në procesin e integrimeve evropiane si dhe për të zbatuar të gjitha reformat e nevojshme në këtë rrugëtim.
Me këtë rast ministri Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e një perspektive të qartë evropiane për të gjithë rajonin, e në veçanti për Republikën e Kosovës.
Nga ana tjetër drejtoresha Calavera ka rikonfirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës, duke nënvizuar se BE-ja është e interesuar që i tërë rajoni të jetë i suksesshëm në integrimet evropiane./Telegrafi/