Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka përgëzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për veprimin e tij rreth vaksinimit të mjekëve kosovarë gjatë ditës së sotme në Kukës.
Në një shkrim në Facebook, Hoxhaj tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinës.
“Një gjest jashtëzakonisht human dhe që duhet përgëzuar i kryeministrit Edi Rama për të vaksinuar mjekët e Kosovës gjatë ditës së sotme në Kukës”, tha ai.
Sipas tij edhe njëherë u dëshmua në vepër solidariteti vëllazëror në një situatë të rënduar me pandeminë dhe veçmas për mantelbardhët që janë në vijën e parë të betejës me këtë sëmundje.
“Fatkeqësisht Qeveria e Kosovës dështoi jo vetëm në menaxhimin e pandemisë por edhe në sigurimin e vaksinës. Të paktën, një falendërim publik për Shqipërinë dhe kryeministrin Rama nuk do të ishte i tepërt”, ka deklaruar Hoxhaj, njofton Telegrafi.
Ndërkaq, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Vendi ynë pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar të premten se gjatë muajit mars mund të tejkalohen të gjitha kapacitetet spitalore, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në javët e fundit.
Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nëse vazhdohet me mbingarkesën e spitaleve, do të ketë vështirësi të menaxhimit të rasteve klinike.
Të shtunën në Kosovë janë regjistruar edhe 8 viktima nga sëmundja COVID-19 që e shkakton coronavirusi i ri.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Podujevë 2 raste (93, 79 vjeç), Prizren 2 raste (67, 61 vjeç), Mitrovicë 1 rast (79 vjeç), Pejë 1 rast (70 vjeç), Viti 1 rast (75 vjeç), Vushtrri 1 rast (75 vjeç)”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).
Pozitivë në coronavirusin e ri kanë rezultuar edhe 771 persona, në bazë të 3.937 mostrave të testuara.
Sëmundjen e kanë mundur edhe 666 pacientë ndërsa raste aktive janë 11.909.
Që nga marsi i vitit 2020 në Kosovë janë shënuar 81.392 raste me koronavirus, prej të cilëve 67.731 janë shëruar ndërsa 1.752 kanë vdekur./Telegrafi/