Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka njoftuar sot kabinetin qeveritar lidhur me Agjendën Evropiane të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian, me nismën e presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, është duke përgatitur strategjinë për zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë strategji reflektohet për hapat që duhet të ndërmarrin shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu në këtë strategji tregohet edhe për të arriturat dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmarrë Republika e Kosovës.
Ky dokument është duke u qarkulluar te vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të bëhet publike më 7 shkurt 2018.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka shprehur shqetësimin për një qasje selektive që i bëhet vendeve të rajonit në këtë dokument strategjik të Komisionit Evropian.
Hoxhaj më tutje tha se dokumenti nuk jep kushte dhe as afate kohore sa i përket procesit të integrimit të vendit tonë, dhe kjo e bënë të paqartë të ardhmen e raporteve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të nënshkruar nga Kosova dhe Komisioni Evropian. /Telegrafi/