Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Diskursi i Jozep Borrel ishte i dëmshëm për Kosovën

Në emisionin e radhës “Balkan Talks” të gazetarit Franko Egro, në Euronews Albania, i ftuar ishte ish- zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, një politikan dhe diplomat me eksperiencë të gjatë. Ai analizoi në detaje zhvillimet mbi dialogun Kosovë-Serbi, si dhe raportet mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. 

Duke shpjeguar mungesën e suksesit në dialogun e deritanishëm, nën mbikëqyrjen e BE- së z. Hoxhaj u shpreh: “Arsyeja kryesore ka qenë sjellja e Serbisë në raport me Kosovën, dhe jo e kundërta, pasi dialogu ka pasur për qëllim që të normalizohen raportet ndër shtetërore. Për ne ka qenë e papranueshme që të dialogojmë me Serbinë në Bruksel ndërkohë që Serbia e godet shtetin e Kosovës nëpërmjet tërheqjeve të njohjeve. Kur kemi parë fakte konkrete në 2018 dhe 2019, e vetmja mundësi ka qenë që ne ta bëjmë një veprim, e cila ka qenë një masë e përkohshme, që ishte vendosja e një tarife ndaj produkteve serbe. Përmes një goditjeje ekonomike ne donim të balanconim një goditje politike nga Serbia”.

Më tej Ish Ministri i Jashtëm i Kosovës nënvizoi: ”Lidhur me Ballkanin për BE dialogu nuk ka qenë temë prioritare, pasi ka pasur më shumë vëmendje për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë dhe më pas dialogun Kosovë – Serbi. BE është ballafaquar me sfida të mëdha si ndërhyrja ruse në Europën Lindore dhe Juglindore, me ndërhyrjen rusë brenda vendeve europiane etj., por ka pasur edhe tema të tilla të mëdha si qëndrimi ndaj Iranit dhe Koresë, klimës, raportet transatlantike dhe nuk ka pasur vëmendje të madhe ndaj nesh”.

Enver Hoxhaj u ndal edhe në një tjetër dimension politik të ndërmjetësimit aktual nga BE-ja nën drejtimin e Shefit të ri të Politikës së saj të Jashtme Jozef Borrell: “Në negociata varet shumë edhe prej atij që është ndërmjetës, prej personalitetit, karakterit, prej bindjeve dhe prej pritshmërive të tij. Unë kam qenë ithtar që prej emërimit të zotit Borrel të mos i vëmë atij etiketë. Por pas vizitës ai zhvilloi në Prishtinë dhe në Beograd dhe me diskursin që ai pati ai ishte i dëmshëm për Kosovën. Unë mendoj se nëse Borreli është më shumë i shqetësuar se çfarë mendon Rusia dhe Kina, atëherë pyes se cilës janë partnerët strategjikë të BE edhe për temën e dialogut. Ndërsa sjellja e tij në Prishtinë ishte e papranueshme, pasi ai nuk pranoi ta takojë Kryeministrin Haradinaj dhe as mua si anëtar i Zyrës së Kryeministrit”.

Krejt ndryshe u shpreh z. Enver Hoxhaj për qëndrimin e Uashingtonit ndaj dialogut: ”Angazhimi i zotit Grenel është një lajm pozitiv dhe ka qenë kërkesë e jona. Në shumë takime që amerikanët të angazhohen në dialogun Kosovë Serbi dhe në këndvështrimin tim roli i Ambasadorit Grenell dhe i zotit Mathju Palmer nuk e, përjashtojnë njeri-tjetrin. Meqë dialogu do të jetë një temë bilaterale Kosovë- Serbi, ambasadori Grenel do të luajë rolin e tij ndërsa zoti Palmer mund të ndihmojë duke biseduar me shtete të tjera të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo tregon gjithashtu se SHBA po fokusohen më shumë në Ballkan pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, pas zgjidhjes së emrit të Maqedonisë dhe anëtarësimit të saj në NATO, tani dialogu Kosovë Serbi është temë e vetme që ka mbetur në tavolinë për tu zgjidhur dhe pa një ndërhyrje amerikane kjo është e paimagjinueshme që të zgjidhet. Gjatë këtij viti duket se do të ketë një plan kohor, një axhendë konkrete me tema konkrete, Është jetike për ne që ta mbyllim këtë temë në favor të shtetit të Kosovës, jo për ti bërë favore Serbisë, por është në interesin tonë që ne ta anëtarësojmë Kosovën në OKB”.

Duke qenë më konkret ai shtoi: “Dialogu duhet të ketë shpejtësi të re, duhet të afatizohet, duhet të ketë qëllime të matshme. Marrëveshja ajrore për shembull me Lufthansën është e domosdoshme në disa drejtime: së pari mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve, së dyti do t’i japë njohje pasaportës së Kosovës pasi ky është një fluturim ndërkombëtar; së treti ne do ta normalizojmë hapësirën tonë ajrore, pasi e vetmja fushë ku ne nuk kemi sovranitet të mirëfilltë është hapësira ajrore, pasi e kontrollon NATO dhe kjo do të thotë se shumë nga këto përgjegjësi do ti kalojnë Aviacionit Civil të Kosovës. Pra, ne do ta kompletonim sovranitetin tone”.

I pyetur për mundësinë e pjesëmarrjes së PDK-së në grupin e mundshëm negociator për dialogun Kosovë-Serbi Hoxhaj u shpreh se: “Ne duhet të shohim fillimisht se çfarë mendon zoti Kurti për dialogun dhe se çfarë platforme do të parashtrojë në Kuvend dhe se çfarë veprimesh politike do të ndërmarrë. Nëse mendon ta heqësh taksën pa pasur një platformë se çfarë pritje ka qeveria e Kosovës për dialogun do të ishte improvizim, pasi reciprociteti është shumë komplekse. Ne do ta vlerësojmë zotin Kurti në bazë të fakteve dhe jo në bazë të retorikës së tij ditore për dialogun”.

Duke u shprehur për qëndrimin amerikan ndaj dialogut, pas angazhimit të Ambasadorit Grenell ai nënvizoi: “Derisa amerikanët duan që ta mbyllin një temë të tillë ne nga ana jonë duhet të japim maksimumin por sigurisht që duhet parasysh rrethanat konkrete. Jo vetëm arritja e marrëveshjes por ajo që ne e kemi mësuar është zbatimi i marrëveshjeve. Pasi zbatimi i marrëveshjes ndodh në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Ne duhet të dimë se si do të sillet Rusia ndaj një marrëveshje të tillë, Kina gjithashtu, pra aktorët globalë. Këto janë çështje që mund t’i mbylle vetëm SHBA pasi ne nuk kemi kapacitete për ta bërë një gjë të tillë.   Unë kam besim të plotë në administratën e Presidentit Trump dhe tek Ambasadori Grenell. Të tjerët mund të kenë perceptime lokale, por unë mendoj që administrate Trump mund të jetë e vendosur për ta mbyllur këtë çështje”.

Ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës foli edhe për qëndrimin e tij dhe partisë që përfaqëson lidhur me Shengenin Ballkanik. Sipas z. Enver Hoxhaj: “Unë mendoj se këto tre vitet e fundit ka një qasje të gabuar të disa kolegëve në Prishtinë por edhe të disave në Tiranë kur vjen fjala nëpërmjet komunikimeve nëpër rrjetet sociale pasi bëhen akuza dhe kundër akuza ndaj njeri tjetrit që nuk është një sjellje e dinjitetshme, as për ne në Prishtinë dhe as për vëllezërit tanë në Tiranë. Arsyet tona janë të thjeshta se përse ne jemi kundër Shengenit të Ballkanit: ne nuk duam ta ndajmë sovranitetin shtetëror të Kosovës me Serbinë dhe me Bosnjën të cilat nuk e njohin Kosovën. Unë mendoj se nuk ka pasur konsultime serioze as me ne në Prishtinë. Unë mendoj se edhe Kryeministri Rama nuk mund ta dërgojë ftesën në Prishtinë sikur të ishte një vend I tretë pa ditur ne se cila është në thelb pritshmëria e Shqipërisë nga një proces i tillë. Për sa i përket qarkullimit të kapitalit dhe mallrave këto i rregullon Marrëveshja e CEFTA-s, tek liria e lëvizjes dhe tek lejet e punës , tek njohja e diplomave unë mendoj se çdo shtet duhet të ketë marrëveshje bilaterale. Të gjithë e dimë se çdokush mund ti mbledhë bashkë 4 apo 5 kryeministra, por në fund shtetet duhet të bëjnë marrëveshje dypalëshe. Qarkullimin me karta të identiteti ne e kemi me shumicën e vendeve të rajonit.”

Në fund të bisedës duke u ndalur sqaruar qëndrimin ndaj Shengenit Ballkanik, z. Hoxhaj bëri një krahasim: “Fillimisht në 2016 ka pasur një propozim për një Union Doganor dhe për herë të parë propozimi ka qenë në një gazetë austriake “Die Presse”. Unë kam qenë ministër i Jashtëm dhe e kam ndjekur si çështje dhe e kuptuam se serbët kanë bërë një dokument strategjik, një tip non paper që të hidhet kjo ide në opinionin publik dhe të marrë mbështetje europiane. Ne e kundërshtuam dhe Shqipëria e kundërshtoi në atë kohë. Tema tjetër ka qenë zona e përbashkët ekonomike rajonale dhe tani ka një rikornizim të së njëjtës ide me Minishengenin. Unë gjykoj se Kosova dhe Shqipëria duhet te ulen dhe të bisedojnë shtruar. Deri tani nuk ka pasur shkëmbim serioz mendimesh përveçse nëpër rrjetet sociale”.

Exit mobile version