Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Dialogu është kthyer në nivel teknik, Qeveria Kurti nuk ka vendosmëri e as guxim për ta mbyllur këtë temë

Ish-ministri i Jashtëm njëherit deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për procesin e dialogut edhe politikën e jashtme.

Hoxhaj ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi edhe më tutje duhet të jetë prioritet për partnerët tanë perëndimor, dhe se ajo se çfarë po ndodh në Ukrainë natyrisht që ka efekt direkt edhe në Ballkan.

“Unë mendoj që Kosova duhet ta shtoj me urgjencë çështjen e marrëveshjes me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Hoxhaj.

Ish-ministri i Jashtëm shtoi se kryeministri Albin Kurti e ka kthyer dialogun në nivel teknik.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

“Është absurde në 2022 me kërku me nënshkru një pakt të mossulmeve. Në vend të asaj që Kurti të vjen në Kuvend dhe të thotë që unë shkoj në dialog për një temë të madhe siç është njohja e ndërsjellë, e jo të shkohet në dialog diskutohet për targa e energji. Jemi kthy në një dialog teknik përderisa amerikanët dërgojnë shkresë zyrtare në Kosovë që qëllimi i dialogut është njohja e ndërsjellë, ne qohemi dalim me tema kot që sun i gjenë as në fusnotat e historisë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ndërkohë i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të jetë më serioz në këtë kohë.

“Është mëse e nevojshme për Kosovën në një situatë që po ndryshon çdo ditë rendi evropian ne ta shtyjmë përpara çështjen e marrëveshjes. Nëse zgjedhjet në Serbi mbahen në prill dhe deri në atë kohë nuk mund të ketë ndonjë kthesë në dialog, Kurti të vjen në kuvend ta paraqet një platformë të qartë sesi e sheh çështjen e dialogut. Unë nuk e di deri më tash çfarë ka ofruar Kurti për dialog, e di që në të kaluarën që ka thënë se do ta rishikoj dialogun por nuk po shoh rishikim. Ka thënë që do ti anuloj marrëveshjet e arritura me Serbinë. Unë e di që dialogu është temë e vështirë. Tek ne ka pasur vullnet, vendosmëri e guxim që kjo temë të mbyllet te z.Kurti nuk po shoh një gjë të tillë”, u shpreh Hoxhaj.

Deputeti i PDK-së më tej theksoi se nëse nuk do të kishte dialog do të kishte tensione më të mëdha.

“Dialogu duhet të jetë platformë për ta përmbyll shtetësinë tonë e jo vetëm platformë për ta shtensionuar situatën”, shtoi Hoxhaj.

Duke folur për politikën e jashtme të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ish-ministri i Jashtëm, shtoi se nuk mundesh me pas qartësi në politikën e jashtme nëse nuk e din çfarë donë.

“Nuk e di që këta kanë deklaruar që 2022 do të marrin njohje. Ne sa kemi qenë në qeveri kemi marrë anëtarësim në tri organizata ndërkombëtare kemi marrë 12 njohje… Nuk mundesh me pas politikë të jashtme aktive nëse nuk ki pritje konkrete e ide konkrete”, tha Hoxhaj.

Ai theksoi se Qeveria Kurti duket se është e kufizuar që të bëjë më shumë për politikën e jashtme.

“Duket që janë të kufizuar për të bërë më shumë përveç ndonjë vizite, postimi Twitter etj”, tha Hoxhaj. /Telegrafi/

Exit mobile version