Site icon Telegrafi

Hoxhaj dhe Kurz pajtohen për planin e përbashkët Kosovë-Austri (Video)

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron për vizitë në Mynih, ku po merr pjesë në Konferencën vjetore të Sigurisë.

Në kuadër të qëndrimit atje, Hoxhaj ka takuar homologët e tij nga vende të ndryshme të Evropës.

Ministri Hoxhaj ka takuar ministrin e Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin janë pajtuar për planin e veprimit për aktivitetet e përbashkëta mes Kosovës dhe Austrisë, i cili përmban në detaje aktivitetet e përbashkëta në politikën e jashtme dhe në fusha tjera të të dy vendeve.

“Ky plan i veprimit vë objektiva të qarta dhe të matshme në aktivitetet tona të përbashkëta me Austrinë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka zhvilluar takim me Komisionerin Hahn, me të cilin kanë biseduar për agjendën evropiane të Kosovës, MSA-në dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe takim dy palësh është zhvilluar edhe me komisionerin Avramopoulos.

Në kuadër të agjendës së takimeve në Mynih, Hoxhaj ka zhvilluar takime me shumë homologë evropian, si ministrin e Jashtëm të Çekisë, Sllovakisë, ministren e Lihtenshtajnit, me të cilët kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral. Këtë agjendë Hoxhaj do ta vazhdojë gjatë gjithë kohës së qëndrimit atje. /Telegrafi/

Exit mobile version