Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë uruar qytetarët për muajin e Ramazanit.
Hoxhaj ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ndërsa theksoi se muaji i Ramazanit përtej obligimit fetar, ka qenë festë që gjithmonë na ka bashkuar e afruar me të afërmit dhe ka nxjerrë në pah virtytet më të mira njerëzore.
“Në vizitë te kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, që ta uroj për fillimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Muaji i Ramazanit, përtej obligimit fetar, ka qenë festë në mesin tonë që gjithmonë na ka bashkuar e afruar me të afërmit tanë dhe ka nxjerrë në pah virtytet më të mira njerëzore.
Qoftë ky një muaj i bekuar me shëndet për të sfiduarit nga virusi, solidaritet me nevojtarët, forcë për të pafuqishmit, e vullnet për ata që po ballafaqohen me sfida.
Urime edhe agjërim të lehtë”, shkruan Hoxhaj në Facebook.
Për muajin e Ramazanit ka uruar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinajt.
Kreu i AAK-së në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se muaji i Ramazanit forcon ndjenjën e sakrificës, vetëpërmbajtjes, mëshirës, afrimit dhe faljes mes njerëzve, vlera këto me të cilat shqiptarët u mishëruan gjatë tërë historisë së tyre.
“Myftiun Naim Tërnava, Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë, Diasporë dhe trojet shqiptare, i uroj për fillimin e muajit të Ramazanit!
Uroj që ky muaj të sjellë më shumë të mira shpirtërore, begati dhe mirëqenie.
Agjërim të lehtë e të pranueshëm!”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/