Telegrafi

Hoxhaj dënon iniciativën për monument të Milloshevicit në Beograd: Kaq për demokratizimin e Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar pas publikimit të lajmeve se në Beograd planifikohet të ngritët monument i Sllobodan Millosheviçit, i dënuar për krime të luftës dhe përgjegjës për të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi.

Përmes një postimi i në Twitter, Hoxhaj përmendi edhe emërimin e një bulevardi në Beograd në emër të kriminelit tjetër serb të luftës, Ratko Mladic, veprim të cilin e kishte bërë presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandër Vucic para disa vitesh.

Duke i ndërlidhur këto dy raste, Hoxhaj tha se me këtë dëshmohet (jo)demokratizimi i Serbisë edhe pas kaq vitesh.

“Para disa vitesh, Aleksandër Vucic e emëroi një bulevard në Beograd sipas kriminelit të luftës, Mladic. Sot, ata duan të ndërtojnë monument për ta nderuar Milloshevicin. Kaq për demokratizimin e Serbisë”, ka shkruar Hoxhaj.

Përndryshe, Hoxhaj ka qenë i zëshëm gjatë gjithë kohës kundër glorifikimit dhe rehatimit nëpër pozita të larta shtetërore në Serbi, të kriminelëve të luftës përgjegjës për vrasjen e qindra mijëra civilëve në luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë./Telegrafi/