Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Demarkacioni kauzë e rrejshme e opozitës, PDK i ka votat, LDK jo

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka thënë se çështja e demarkacionit është kauzë e rrejshme, të cilën sipas tij, e ka shpikur opozita në Kosovë.

Sipas tij, vendi është në një lloj paralize për marrjen e vendimeve të mëdha, edhe për shkak të sjelljes shumë brutale të opozitës.

“Vendi është në mungesë të vendimmarrjes ne mes partnerëve të koalicionit. Ne si PDK nuk e masim ne fatin individual në politikë, dhe nuk është relevante fati i partisë duhet të matet me atë se sa e ndryshon fatin e qytetarëve”, ka shtuar Hoxhaj.

Hoxhaj, ka thënë në Zona B të Klan Kosovës se PDK-ja i ka votat, por duket se partneri tjetër i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i ka ato.

Ai ka theksuar se po duket e pamundur që partnerët e koalicionit të pajtohen për vendimmarrje dhe po ka ngecje.

“Ne e kemi pasur një bindje që LDK i ka votat, por tash është marrë vendimi që nga dita e enjte e tutje të shohim nëse LDK-ja i ka ato. Por, ajo që e karakterizon këtë moment është mungesa e vendimmarrjes – pafuqia e marrjes së vendimeve”, pohoi Hoxhaj.

“Gjatë ditëve të fundit ne kemi pasur shpresë që partneri i ka votat, pasi PDK-ja i ka, në përjashtim të një deputeti, të tjerët të gjithë janë të gatshëm të votojnë. Ne kemi menduar që sot do të procedohet Demarkacioni për një seancë të jashtëzakonshme, por partneri i koalicionit e ka të pamundur ta bëjë një gjë të tillë”, tha ai.

Nëse partnerët e koalicionit, sipas tij, nuk kanë kapacitet institucional dhe e shtyn procesion nga dita në ditë e shtron pyetjen se çfarë të bëjmë me këtë situatë.

“Qëllimi i takimit të sotëm ka qenë që të shohim a mundim të lëvizim përpara, por pamë se kjo nuk po ndodh, ka një mungesë të vendimmarrjes”, ka shtuar Hoxhaj./Telegrafi/

Exit mobile version