Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër lidershipin aktual të Kosovës, duke e quajtur vendimin e djeshëm të Këshillit Evropian që i hapi negociatat me Bosnjën dhe Hercegovinën, si lajm shumë të keq për Kosovën.
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, ka thënë se Bosnja tani iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut.
“Vendimi i djeshëm i Këshillit Evropian për t’i hapur negociatat për anëtarësim me Bosnjën dhe Hercegovinën është një lajm i madh për këtë shtet, por një lajm i shumë i keq për Kosovën, sepse, në fakt tregon se ne kemi mbetur tërësisht jashtë procesit të zgjerimit evropian dhe sot më shumë i ngjajmë një shtetit bunker të izoluar nga BE-ja dhe nën sanksionet e saj, ku nga Ballkani deri në Evropë Lindore, Kosova futet në rang me Bjellorusinë dhe raporti i Kosovës me BE-në është mjerisht i njëjti me atë të Bjellorusisë!”, ka shkruar Hoxhaj.
“Ukraina që është në luftë dhe Gjeorgjia e Moldavia, kanë marrë statusin e kandidatit dhe Kosova jo, duke mbetur pas këtyre, ngjashëm me Bjellorusinë, të izoluar dhe madje të dënuar me sanksione, gjë që është dështimi më i madh i Kosovës në politikën e jashtme dhe në reforma të brendshme, të cilin as në ëndrrën më të keqe nuk kam mundur ta imagjinoj!”, ka shkruar tutje Hoxhaj. /Telegrafi/