Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar edhe një herë për situatën në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në Ballkanin Perëndimor.
Hoxhaj ka thënë se ka vetëm një politikë që e mbron identitetin shtetërorë, rendin demokratik dhe sigurinë e Kosovës dhe ajo është anëtarësimi në NATO, transmeton Telegrafi.
“Lufta në Ukrainë po tregon se paqja evropiane ishte një pushim i përkohshëm! Kur shpërbërja e shteteve dhe shuarja e jetës së qytetarëve është realitet evropian, ka vetëm një politikë që mbron identitetin shtetëror, rendin demokratik dhe sigurinë e Kosovës: anëtarësimi në NATO”, ka shkruar Hoxhaj.
Deputeti i PDK-së thotë se anëtarësimi në NATO, duhet të jetë kryetema e vitit 2022.
“Javën e kaluar e thash në Kuvend dhe po e përsërisë sot: Qeveria e Kosovës duhet të miratojë Planin Aksional për Anëtarësim (MAP), me mbështetje perëndimore! Kjo është kryetema e vitit 2022”, thotë mes tjerash ai.
Ndryshe, edhe ditën e diel, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. /Telegrafi/