Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot, ka marrë pjesë në Konferencën me temën “Rritja e cilësisë dhe efekteve të donacioneve të jashtme”, me ç’rast u bë prezantimi i të gjeturave dhe rekomandimeve nga vlerësimi i projekteve dhe programeve të donatorëve të jashtëm në sektorin e Drejtësisë.
Gjatë konferencës, Hoxha ka falënderuar komunitetin e asistencës ndërkombëtare për kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës.
“Krahas zhvillimeve shoqërore dhe politike që po ndodhnin shpejtë në Kosovë, kemi arritur që të krijojmë institucione të qëndrueshme në të gjithë dikasterët shtetëror”, tha Hoxha.
“Si hap të parë në këtë drejtim kemi krijuar një masë kritike për vlerësim të asistencës ndërkombëtare, për të mundur pastaj të krijojmë politika për koordinim më të mirë, gjithnjë me qëllimin që të rrisim përfitimet tona nga kjo asistencë ndërkombëtare”, theksoi ministrja Hoxha.
Për më tepër, theksoi ministrja tha se vazhdimisht është duke e rritur pronësinë vendore për një koordinim, monitorim dhe vlerësim më të mirë të donacioneve në sektorin e drejtësisë.
Në fund të fjalës së saj, Hoxha, ka vlerësuar komunitetin e asistencës ndërkombëtare për kontributin e vazhdueshëm për ndërtimi, zhvillimin dhe konsolidimin e sektorit të drejtësisë, si dhe ka inkurajuar institucionet e drejtësisë për punë të mëtutjeshme në fuqizimin e mëtejmë të sektorit të drejtësisë. /Telegrafi/