Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ka theksuar se OKB, më 10 dhjetor 1948, ka obliguar shtetet të promovojnë dhe zbatojnë Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, të cilat ajo i konsideron të patjetërsueshme në përcaktimin integrues.
Ministrja Hoxha ka theksuar po ashtu se “çështjet e veçanta si dhuna ndaj fëmijëve, grave, grupeve të margjinalizuara apo me nevoja të veçanta, janë me prioritet dhe shqyrtohen në frymën e Deklaratës universale të të drejtave të njeriut”.
Këtu është postimi i plotë në rrjetin social i ministres Hoxha:
“Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, e miratuar nga Asambleja e OKB-së, më 10 dhjetor 1948, na obligon të promovojmë Deklaratën universale të të drejtave të njeriut. Me përgjegjësi dhe përkushtim i zbatojmë dhe promovojmë këto vlera të patjetërsueshme në përcaktimin tonë integrues euro-atlantik.
Çështjet e veçanta si dhuna ndaj fëmijëve, grave, grupeve të margjinalizuara apo me nevoja të veçanta, janë me prioritet dhe shqyrtohen në frymën e Deklaratës universale të të drejtave të njeriut. Angazhim ynë është permanent për respektimin e vlerave dhe promovimin e kësaj Deklarate.
Vlerat e Deklaratës janë të inkorporuara në Kushtetutën dhe ligjete e Republikës së Kosovës, andaj, në këtë ditë kujtojmë universalitetin dhe karakterin e pandashëm e të patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive të njeriut, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut”, ka shkruar ministrja Hoxha. /Telegrafi/