Në trevjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, marrëveshjes së parë kontraktuale Kosovë-Bashkim Evropian, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka theksuar se “të arriturat e këtyre tri viteve, janë të lidhura ngushtë me jetën dhe mirëqenien e secilit qytetar”.
Këto arritje nuk mjaftojnë për t’u bërë pjesë e familjes Evropiane, por ne nuk do të ndalemi së punuari sepse kemi qenë, jemi dhe do të mbesim pjesë e Evropës dhe vlerave që ajo përfaqëson, ka cekur Ministrja Hoxha duke përgëzuar stafin ndërkombëtar dhe vendor për suksesin e kësaj marrëveshjeje.
Postimi i plotë:
Në trevjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë kontraktuale në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian – Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), ne mund të flasim për shumë të arritura. Të arriturat gjatë këtyre tri viteve janë të lidhura ngushtë me jetën dhe mirëqenien e secilit qytetar të Republikës së Kosovës. Lidhur me këto arritje, ne çmojmë secilin kontribut të vendeve të BE-së për procesin dhe rrugën tonë integruese.
Këto arritje nuk mjaftojnë për t’u bërë pjesë e familjes Evropiane, por ne nuk do të ndalemi së punuari sepse kemi qenë, jemi dhe do të mbesim pjesë e Evropës dhe vlerave që ajo përfaqëson. Në këtë përvjetor, përgëzime secilit kontribuues për zbatimin e MSA-së, në veçanti shprehim respekt ndaj ekspertëve të vendeve mike që me përkushtim të madh kanë dinamizuar procesin konform nevojave të qytetarëve tanë.
Urime miq, përgëzime për akterët që vërtetë këtë marrëveshje e trajtojnë siç e meriton, me prioritet, si interes me peshë dhe vlerë kombëtare! /Telegrafi/