Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha raportoi sot në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.
Para deputetëve, ajo tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, por që nuk e di se kur do të hidhet në votim në Këshillin e Ministrave.
Hoxha shtoi se Franca, Belgjika dhe Holanda kanë hezitime sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave vendimi është në Këshillin e Ministrave. Kriteret e kërkuara sipas udhërrëfyesit janë plotësuar, kjo u konfirmua. Parlamenti Evropian edhe një herë në 2019 e ka votuar raportin. Përkundër rekomandimeve pozitive, përmusgjes së kritereve jemi duke pritur vendimin e Këshillit. Në zvarritje ka ndikuar edhe gjendja politike brenda Parlamentit Evropian. Në takimin që kemi pasur në Gjermani me ministrin e Brendshëm kemi marrë mbështetje për vizat. Franca, Holanda, Belgjika kanë dilema për liberalizimin e vizave në Kosovë”, tha ajo.
Hoxha ka thënë se brengë e Francës është migrimi në përgjithësi.
“Futja në agjendë në Këshillin e Ministrave nuk do të futet nëse nuk do të ketë konsensus. Njëra nga shtetet anëtare duhet ta marr iniciativën që ta vendos në agjendë. Takimi i ardhshëm i këshillit është pas konstituimit nga zgjedhjet, dhe në këtë aspekt pritet në tetor mbledhja. Deri atëherë duhet të ndodh ky diskutim në mënyrë që të ndodh konsensusi. Brengë e Francës mbetet migrimi, jo e qytetarëve të Kosovës, po keqpërdorimi i liberalizimit nga disa shtete që e kanë liberalizimin. Kosova sa i përket migrimit nuk gjendemi as në ‘Top 30’ e vendeve”, tha ajo. /KP/