Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka zbuluar detaje të reja në lidhje me operacionin e fundit në Banjskë, ku një kallashnikov i përdorur nga një terrorist u neutralizua nga Njësitë Speciale të Policisë.
Hoxha theksoi se ky veprim tregon nivelin e lartë të profesionalizmit dhe saktësisë së forcave të policisë.
“Këtu është një kallashnikov që ka qenë në duart e një terroristi në Banjskë. Operatori ynë i njësive speciale ka arritur të qëllojë mbi karikatorë dhe ta paaftësojë armën e këtij terroristi. Sikur të donte, do ta vriste, sepse është më e lehtë të qëllosh në kokë sesa në armë,” deklaroi Hoxha në emisionin Debat Plus.
Ai shtoi se qëllimi kryesor nuk ishte të vritej asnjë person, duke theksuar se ky rast përfaqëson një shembull të qartë të aftësive të jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës.
“Kush është ky person është sekret, por kjo është shenjë e nivelit të profesionalizimit tonë dhe saktësisë së punës së Policisë së Kosovës, veçanërisht të njësive speciale. Jemi duke folur me mbi 800 metra distancë, dhe këtë saktësi ia kanë lakmi forcat speciale të shumicës së shteteve të botës,” përfundoi Hoxha.