Anëtari i komisionit hetimor i Kuvendit të Kosovës rreth procesit të privatizimit, Sejdi Hoxha, deputet i PDK-së, ka thënë se ky komision është themeluar me iniciativë të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Sipas tij, deri më tash kanë dëshmuar disa nga protagonistët që janë marrë me privatizim që nga viti 2000 e deri më tash.
“Ne kemi përcaktuar një listë të dëshimtarëve që do t’i ftojmë në intervistim e që janë pjesë e procesit të privatizimit që nga viti 2000. Do të ftojmë ministra, ish drejtor, ish drejtues. Tash po dalin emrat e atyre që kanë privatizuar”, ka thënë Hoxha, në RTK.
Sipas tij, publiku do të befasohet me emrat e atyre që kanë privatizuar. “Pjesë e komisionit është hetimi rreth atyre që kanë privatizuar dhe formën se si kanë privatizuar”.
“Do të dalin emra që kanë qenë kritikuesit më të mëdhenj të privatizaimit. Emra që janë aktiv në politikën kosovare që më së shumti kanë folur kundër privatizimit”, ka thënë Hoxha.
I pyetur për emrat se kush janë ata politikanë që kanë privatizuar, Hoxha nuk ka dashur të zbulojë emra me arsyetimin se hetimet janë duke vazhduar ende.
“Nuk do të doja të zbuloja emra tash, por komisioni do të jetë transparent dhe në fund do t’i publikoj të gjithë emrat e atyre që kanë privatizuar. Emra të politikanëve të Kosovës”, ka thënë tutje ai.
Ai ka theksuar se qëllimi i këtij komisioni është të tregojë se jo vetmë nga PDK-ja ka emra të përfolur për privatizim, por janë nga të gjitha partitë.
“Jo çdokush ka mundur të vije deri te privatizimi, prandaj janë emra bukur me peshë që janë edhe në partitë politikë edhe në institucione. Janë aktiv në politikë. Deri më tash nga hulumtimi që e kemi bërë dhe nga dokumentacioni që kemi marrë nga AKP-ja, dalin emra nga të gjitha partitë politike që kanë privatizuar në Kosovë, janë nga VV-ja, LDK, PDK, AAK-ja, Nisma…”, ka thënë ai.