Zëvendësministri Valdet Hoxha priti në takim një ekip ekspertësh nga Këshilli i Evropës në përbërje nga udhëheqësja e zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Isabelle Servoz-Gallucci si dhe katër ekspertët Elizabeth Sandor-Szalay, Tove H Malloy, Detlev Rein dhe Gisella Gori.
Temë e takimit ishte Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, si një nga traktatet me gjithëpërfshirëse e dizajnuar për të mbrojtur të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare.
Zëvendësministri Hoxha i njoftoi ekspertët e Këshillit të Evropës për hapat konkret që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë dhe po ndërmerr në kuptim të trajtimit dhe ofrimit të mundësive për komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke u zotuar që në respekt të Konventës të marrim përsipër të promovojmë barazinë e plotë dhe efektive të pjesëtarëve që u përkasin pakicave në të gjitha fushat e jetës ekonomike,shoqërore politike dhe kulturore, së bashku me kushtet që do të lejohen që ata të shprehin, ruajnë dhe zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre.
“Delegacioni nga Këshilli i Evropës u ndanë shumë të kënaqur nga prezantimi i të arriturave në fushën përkatëse duke premtuar bashkëpunim të ndërsjellët në realizimin e objektivave të përbashkëta në përputhje me Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/