Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim René Eschemann, srejtorin e Bankës kreditore për Rindërtim (KfW) dhe me këtë rast, diskutoi për projektet e kësaj banke në Kosovë.
“KfW është bankë shumë kredibile e cila ka mbështetur Kosovën me projekte kapitale me interes të veçantë publik. Rëndësia e mbrojtjes dhe rregullimit të ambientit, trajtimi i ujërave si dhe krijimi i vendeve të reja të punës nëpërmjet këtyre veprimtarive publike janë të një rëndësie edhe për procesin e zbatimit të MSA-së, plotësimin e kritereve dhe standardeve integruese”, theksoi Ministrja Hoxha, duke theksuar se projektet që po i mbështet kjo bankë, janë të domosdoshme për qytetarët dhe procesin që po kalon Kosova.
Hoxha kërkoi që KfW të ofroj lehtësirat maksimale që projektet e rëndësishme infrastrukturore të realizohen në Kosovë, si ato të energjisë, ambientit dhe ujit të pijes.
René Eschemann, theksoi se KfW si një institucion i fuqishëm financiar, në Kosovë ka në fokus projektet e rëndësisë së veçantë si uji i pijes, kujdesi ndaj trajtimit të ujërave të zeza, por edhe ruajtjen e shëndetit publik nëpërmjet këtyre veprimtarive.
Ajo theksoi se Kosova do të jetë e privilegjuar sa i takon bashkëpunimit për projektet e rëndësishme të cilat ndikojnë në procesin integrues si ruajtja e ambientit, kursimi i energjisë si dhe energjia e ripërtërishme. /Telegrafi/