Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se spektri politik në Kosovë duhet të gjejë një konsensus që Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të ratifikohet sa më shpejtë.
Sipas saj, pas përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës, do të nevojiten më pas edhe tre deri në gjashtë muaj, që Bashkimi Evropian ta vë në fuqi një vendim eventual për lëvizjen e lirë pa viza, për qytetarët e Kosovës.
“Kemi parë një tension të madh publik kohëve të fundit, por gjithashtu kemi parë edhe një angazhim të Qeverisë lidhur me këtë çështje. Jam optimiste se skena politike do të gjejë një konsensus që Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të ratifikohet sa më shpejtë”, tha ministrja Hoxha.
Ajo ka shtuar se Kosova duhet të shfrytëzojë rastin dhe të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit sa më shpejt. Në të kundërtën, ajo tha se Bashkimi Evropian do të humbë fokusin nga procesi i liberalizimit të vizave ndaj Kosovës.
“Unë mendoj se ne duhet të arrijmë këtë konsensus, Qeveria dhe të gjithë, sa më shpejtë që të është e mundur sepse pastaj ne e dimë që në mbledhjen fundit në nëntor që mbahet në Këshillin e BE-së, në agjendë do të jetë BREX-it (largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja), kurse në vitin 2019 fillojnë zgjedhjet parlamentare (në BE) dhe do të kemi një situatë ku mund të humbet fokusi për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pra, duhet të shfrytëzojmë rastin që të ecim përpara”, tha ministrja Hoxha.
Ndërkohë sa i përket raportit të Komisioni Evropian për Kosovën që pritet të publikohet së shpejti, ministrja Hoxha tha se pret një raport të balancuar.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në javën e ardhshme pritet të prezantojë strategjinë për Ballkanin dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian në këtë pjesë të Evropës.
Nisur nga kjo ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte ftuar spektrin politik që të jetë i përgjegjshëm dhe i përgatitur, që deri në atë kohë t’i kryejë obligimet e veta. Në të kundërtën, siç ka thënë ai, do t’i kushtonte Kosovës me “një çmim shumë të lartë”.
Megjithatë, analistë të çështjeve politike në Kosovë janë skeptik se liderët politik do të gjejnë një konsensus të brendshëm dhe t’i kryejnë obligimet që kanë.
Imer Mushkolaj, analist thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës s kanë humbur hapin në përmbylljen e obligimeve ndërkombëtare.
“Nëse ekziston vullneti politik nuk do të thotë se brenda një jave nuk mund të përmbyllet përmbushja e këtyre obligimeve, por duke pasur parasysh papërgjegjësinë e klasës politike në Kosovë është pak e besueshme për të mos thënë e pamundur që një gjë e tillë të arrihet në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare që Kosova ka marr”, thotë Mushkolaj.
Institucionet e Kosovës, shton ai, ka humbur një periudhë të favorshme për të marr mbështetjen e nevojshme të Bashkimit Evropian. Ai thotë se viti tjetër nuk do të jetë në favor të Kosovës.
“Kur flasim për vitin e ardhshëm flasim për një situatë të paqartë një situatë që mund të jetë jo në favor të Kosovës duke pasur parasysh se në vendet e Bashkimit Evropian është duke u rritur ndikimi i forcave ekstremiste, kushtimisht forcave që janë kundër Bashkimit Evropian e që rrjedhimisht do të duhej të ishin dhe kundër zgjerimit të BE-së e aq më shumë do të jenë në disfavor të Kosovës për shkak të situatës specifike që gjendet vendi karshi Bashkimit Evropian si tërësi, por edhe karshi pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Mushkolaj.
Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të diskutuara në skenën politike të Kosovës.
Kosova pa ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova nuk mund të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.
Mungesa e ratifikimit nga Kosova, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë. /Rel/