Në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë për Koordinimin e donacioneve të jashtme, ku mori pjesë kryeministri Haradinaj, ambasadorë dhe donatorë, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, potencoi se koordinimi i donacioneve të jashtme duhet të shndërrohet në pjesë përbërëse të planifikimit të politikave qeveritare, duke forcuar lidhjen në mes të këtyre proceseve.
Hoxha ceku se gjatë këtij viti synohet përmirësim i ndjeshëm i planifikimit të brendshëm dhe përmirësimin në zbatimin e projekteve.
“Ne tashmë kemi bërë hapa për të përmirësuar procesin e koordinimit të donacioneve të jashtme, përmes ngritjes së sistemit të monitorimit dhe raportimit. Këtë sistem e kemi dizajnuar me ndihmën e projektit të financuar nga BE-ja “Project Preparation Facility”, potencoi ministrja dhe prezantoi disa nga karakteristikat e sistemit.
Më pastaj, Hoxha ftoi për diskutime për të gjitha çështjet rreth asistencës zhvillimore në Kosovë.
Në diskutim morën pjesë përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës dhe tërë komuniteti i donatorëve në Kosovë.
“Kosova përfiton asistencë nga ana e donatorëve të jashtëm, si pjesë e asistencës zhvillimore për vendin. Sfida kryesore mbetet niveli i zbatimit të projekteve sipas afateve të planifikuara konform objektivave të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës”, vuri në dukje Hoxha.
Kemi hartuar Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore, vuri në dukje ministrja Hoxha, dhe shtoi se kjo listë është përgjigje ndaj procesit të Berlinit që ka parashtruar ndaj të gjitha vendeve të rajonit.
“Raportimi do të bazohet në zbatim, jo në disbursim. Gjatë këtij viti ne synojmë të kemi një tranzicion të plotë drejt sistemit të ri të monitorimit dhe raportimit”, vlerësoi Ministrja Hoxha, kjo mundëson që Qeveria të ndërhyjë në proces të zbatimit, e më pastaj prezantoi të dhënat se BE-ja vazhdon të jetë donatori kryesor, i pasuar nga Gjermania, ShBA, Zvicra dhe kështu me radhë”, vuri në pah ministrja.
Ndërsa “sektori kryesor që ka përfituar nga donatorët është zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, pasuar nga sundimi i ligjit”, potencoi Ministrja Hoxha duke treguar edhe përfitimet e komunave. /Telegrafi/